Τετάρτη 30 Νοεμβρίου 2016

"Misteret e Shenjta" – Kishën Orthodhokse


Άρθρο στα αλβανικά για τα μυστήρια του βαπτίσματος, της θείας Ευχαριστίας και της εξομολόγησης. Πηγή: Η Ορθόδοξη Εκκλησία της Αλβανίας – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë


Misteret quhen zyrtarisht në Kishën Orthodhokse "Misteret e Shenjta". Zakonisht numërohen shtatë mistere: Pagëzimi, Mirosja, Kungata e shenjtë, Pendimi (Rrëfimi), Martesa, Priftëria dhe Vajimi i shenjtë (Efqelia). ... Praktika më e vjetër dhe tradicionale e Kishës Orthodhokse është të konsiderojë çdo gjë që është brenda Kishës dhe çdo gjë që është e Kishës si mistike dhe misterore (sakramentale).
    Kisha mund të përcaktohet si jeta e re në Krishtin. Kjo është jeta e njeriut, e jetuar me anë të Shpirtit të Shenjtë, në bashkim me Perëndinë. Të gjitha aspektet e jetës së re në Kishë marrin pjesë në misterin e shpëtimit. Në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë çdo gjë që është mëkatare dhe e vdekur, bëhet e shenjtë dhe e gjallë nga fuqia e Perëndisë Atë. Dhe kështu, në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, çdo gjë në Kishë bëhet një mister, një element i misterit të Mbretërisë së Perëndisë, ashtu si ai tashmë është përjetuar në jetën e kësaj bote. Duke e parë Kishën si një jetë të re dhe të amëshuar të Mbretërisë së Perëndisë, dhënë njeriut nga Perëndia, me anë të Jisu Krishtit, në Shpirtin e Shenjtë, ne, para së gjithash, kuptojmë se për të patur jetë duhet të kemi lindje. Lindja në jetën e amëshuar të Perëndisë është Misteri i Pagëzimit. Por, lindja nuk është e mjaftueshme për të jetuar; duhet pasur edhe mundësia e vazhdimit të jetës: fuqia, energjia dhe forca e saj. Prandaj, Misteri i Mirosjes është dhurata e fuqisë për të jetuar në jetën e Krishtit, e cila ka lindur tek njeriu nga pagëzimi. Kjo është dhurata e "Shpirtit të tërëshenjtë, të mirë e jetëbërës" tek njeriu.
    Edhe jeta, gjithashtu duhet të mbahet. Normalisht kjo bëhet me anë të ushqimit. Ushqimi na mban ne gjallë. Njeriu mbahet në ekzistencë nëpërmjet kungimit me krijimin. Por, ushqimi nuk na mban ne në jetë përjetësisht. Kungimi ynë natyral me botën është një Kungim te vdekja. Ne kemi nevojë për një ushqim të veçantë, që të na japë jetën e amëshuar. Ky ushqim është "darka mistike e Birit të Perëndisë", trupi dhe gjaku i Krishtit, misteri i Kungatës së Shenjtë - Kungimi me Jetën vetë.
    Që jeta të bëhet e shenjtë, e mirë dhe e përsosur, duhet të jetë dhe një mister i veçantë rreth Martesës dhe lindjes së fëmijëve. Në këtë botë, kush ka lindur do të vdesë dhe, madje edhe dashuria njerëzore më e përsosur është nën dënimin: "...derisa vdekja do ju ndajë." Misteri i Martesës së krishterë, i transformon dashuritë njerëzore, fëmijë-lindjet dhe familjet, në realitete të kuptimit dhe përmasave të përjetshme. Në Martesë ata bekohen prej Perëndisë për një dashuri dhe miqësi pa mbarim. Ata bekohen që fruti i dashurisë së tyre, lindja e fëmijëve dhe jeta e familjeve të tyre, të mos jetë "në vdekje", por në jetën e amëshuar.

photo këtu

    Deri në ardhjen përfundimtare të Mbretërisë së Perëndisë, jeta jonë është është nën sulmin e armiqve të saj demoniakë: mëkati, sëmundja, vuajtja, hidhërimi dhe vdekja. Misteri i Pendimit është mjekimi për sëmundjet shpirtërore. Ai na lejon të kthehemi përsëri tek Perëndia, të falemi prej Tij dhe të pranohemi përsëri në jetën e Perëndisë, prej së cilës mëkatet tona na ndajnë. Misteri i Vajimit të Shenjtë (Efqelia) është mjekimi për sëmundjet tona fizike, të cilat janë fuqitë e mëkatit mbi trupet tona, bashkimi ynë i paevitueshëm me vuajtjen dhe vdekjen. Vajimi i shenjtë na lejon të shërohemi; na çon jo "në vdekje", por përsëri në jetën e amëshuar. Ai është inkorporimi i plagëve tona në kryqin jetëbërës të Krishtit.
  Së fundi, misteri i cili lejon, që përsosmëria e jetës hyjnore të bëhet e jona, me tërë plotësinë dhe fuqinë e saj në këtë botë, është misteri i vetë Kishës. Në mënyrë të veçantë, brenda Kishës ne kemi misterin e Priftërisë, shërbesën, mësimin dhe kujdesin pastoral. Kleri i Kishës (peshkopët, priftërinjtë dhe dhiakonët) është, që ta shfaqë, ta bëjë të pranishme dhe të fuqishme në Kishë, jetën hyjnore të Mbretërisë së Perëndisë tek të gjithë njerëzit, gjatë kohës që ata jetojnë në këtë botë. Kështu, prej lindjes në vdekje, në kohë të mira e të këqia, në çdo aspekt të ekzistencës të kësaj bote, jeta reale - jeta siç Perëndia e ka krijuar, shpëtuar dhe shenjtëruar - na është dhënë neve në Kishë. Ky është qëllimi i ardhjes së Krishtit në botë: "Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk" (Joani 10:10).
   Kisha, si dhurata e jetës së amëshuar, prej vetë natyrës së saj në plotësinë dhe tërësinë e saj, është një realitet mistik dhe misteror. Ajo është jeta e Mbretërisë së Perëndisë e dhënë tashmë tek ata që besojnë. Dhe prandaj, çdo gjë që ne bëjmë - lutjet tona, bekimet, veprat e mira, mendimet, veprimet - çdo gjë merr pjesë në jetën që s'ka mbarim. Në këtë kuptim, çdo gjë që është në Kishë dhe e Kishës është një mister i Mbretërisë së Perëndisë.

Pagëzimit (βάπτισμα)

photo këtu
...Në Kishën e krishterë praktika e Pagëzimit merr një kuptim të ri dhe të veçantë. Ai nuk mbetet thjesht një shenjë e ndryshimit moral dhe e rilindjes shpirtërore. Por, ai bëhet një akt i vërtetë i vdekjes dhe ngjalljes së personit në dhe me Krishtin. Pagëzimi i krishterë është pjesëmarrja e njeriut në ngjarjen e Pashkës. Ai është një "lindje e re nga uji dhe nga Fryma e Shenjtë" në Mbretërinë e Perëndisë (Joani 3:5). Pagëzimi në Kishë fillon me mohimin e Satanait dhe me pranimin e Krishtit. Para se të pagëzohet një person - ose nuni për atë - pohon zyrtarisht simbolin e besës së krishterë, Besoren. Meqenëse nuni flet në emër të foshnjes, ai e shoqëron hyrjen e tij në Kishë dhe e "pret" foshnjen kur del nga uji i pagëzimit dhe kujdeset për jetën e tij shpirtërore. Nuni duhet të jetë një anëtar i Kishës.
    Mbas pohimit të besës, mbi ujin e pagëzimit bëhen lutje dhe ai bekohet, si shenjë e mirësisë së krijimit të Perëndisë. Gjithashtu, edhe mbi personin që do të pagëzohet bëhen lutje dhe ai, gjithashtu, bekohet me vaj të shenjtëruar, si shenjë që krijimi i tij nga Perëndia është i shenjtë dhe i mirë. Pastaj, mbas shpalljes solemne të "aliluia" (Perëndia qoftë i lavdëruar), personi zhytet tri herë në ujë, në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.
    Nëpërmjet aktit të zhytjes, personi i pagëzuar vdes për këtë botë dhe lind përsëri në ngjalljen e Krishtit, në jetën e amëshuar. Ai vishet me "rroben e shpëtimit", simbolizuar nga rroba e bardhë e Pagëzimit, që është "njerishmëria e re" e vetë Jisuit, i cili është Adami i ri dhe qiellor (Shih Joani 3, Romanët 5, 1 Korinthianët 15). Prandaj, fjalët e Apostull Pavlit këndohen tri herë, kur i porsapagëzuari udhëhiqet në procesionin rreth kolumvithrës, si simbol i hyrjes së tij në jetën e amëshuar: "Sa u pagëzuat me Krishtin, me Krishtin u veshët. Aliluia" (Galatianët 3:27).
photo këtu
    Në kohët e vjetra, ky procesion bëhej prej pagëzimores në Kishë, ku i porsapagëzuari merrte Kungatën e Shenjtë në Meshën Hyjnore. Normalisht, Pagëzimi ishte i lidhur me Meshën e Pashkës; procesioni ynë i sotëm rreth Kishës, në natën e Pashkës, nuk është gjë tjetër përveçse kujtimi që ne jemi pagëzuar, që ne kemi lënë jetën e kësaj bote, për të hyrë në jetën e amëshuar të Krishtit të Ngjallur, në Mbretërinë e Perëndisë. Kjo jetë e re na është dhënë në jetën e Kishës, kryesisht në Meshën Hyjnore. Para procesionit pagëzimor dhe këndimit të Apostullit dhe Ungjillit dhe para plotësimit me marrjen e Kungatës së Shenjtë, të porsapagëzuarit i jepet dhurata e Shpirtit të Shenjtë në misterin e Mirosjes.
Kungata e Shenjtë (H θεία Ευχαριστία)

Kungata e Shenjtë në Traditën Orthodhokse është quajtur "misteri i mistereve". Quhet gjithashtu edhe "misteri i Kishës". Kungata është qendra e jetës së Kishës. Çdo gjë në Kishë të çon në Kungatën dhe çdo gjë rrjedh prej saj. Ajo është plotësimi i të gjitha mistereve të Kishës - burimi dhe qëllimi i të gjitha doktrinave dhe institucioneve të Kishës... Duke folur në përgjithësi, "darka" mbetet, madje edhe sot, si një nga ritualet dhe ngjarjet simbolike kryesore në jetën e njeriut.
photo këtu
    Eukaristia (falenderimi) e krishterë është një e ngrënë e veçantë e lidhur me ngrënien e Pashkës së Dhiatës së Vjetër. Në fund të jetës së tij Krishti, Mesia Judaik, e hëngri Pashkën me nxënësit e tij. Duke qenë fillimisht një e ngrënë rituale në përkujtim të çlirimit të Izraelit prej robërisë së Egjiptit, e ngrëna e Pashkës u transformua nga Krishti në një akt, bërë në kujtim të tij: të jetës, vdekjes dhe ngjalljes së tij, si një Qengj Pashke i ri dhe i përjetshëm, që çliron njerëzit nga skllavëria e të ligut, nga padituria dhe vdekja dhe i kalon ata në jetën e amëshuar të Mbretërisë së Perëndisë. Gjatë darkës Krishti mori bukë dhe verë dhe i porositi nxënësit t'i hanin e t'i pinin ato: Trupin dhe Gjakun e tij. Prandaj, ky akt u bë kështu qendra e jetës së krishterë, përvoja e pranisë së Krishtit të Ngjallur në mes të Popullit të tij (Shih Mattheu 26; Marku 14; Lluka 22; Joani 6 dhe 13; Veprat 2:41-47; 1 Korinthianët 10-11).
    Si fjalë, termi Eukaristi do të thotë Falenderim. Ky emër i është dhënë ngrënies së shenjtë - jo vetëm bukës dhe verës, por të gjithë aktit të mbledhjes, lutjes, këndimit të Shkrimit të Shenjtë dhe lëçitjes së Fjalës së Perëndisë, duke përkujtuar Krishtin dhe ngrënien e pirjen e Trupit dhe Gjakut të Tij, në Kungim me atë dhe me Perëndinë Atë, me anë të Shpirtit të Shenjtë. Përdoret fjala Eukaristi (falenderim), sepse kuptimi gjithëpërfshirës i Banketit të Zotit është ai i falenderimit ndaj Perëndisë në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, për gjithçka që ai ka bërë: në krijimin, shpëtimin dhe lavdërimin e botës.
    Misteri i Eukaristisë quhet gjithashtu Kungimi i Shenjtë, meqenëse ai është Kungimi (bashkëpërjetimi) mistik i njerëzve me Perëndinë, me njëri-tjetrin dhe me të gjithë njerëzit, si dhe me të gjithë gjërat në Atë, me anë të Krishtit dhe Frymës. Liturgjia eukaristike kremtohet në Kishë çdo të Dielë, Ditën e Zotit, si edhe në ditë të kremtesh. Në manastire kremtohet çdo ditë. Kungimi i Shenjtë i ndalohet të gjithë të krishterëve orthodhoksë gjatë ditëve të javës në Kreshmët e Mëdha, me përjashtim të Kungimit të veçantë të Meshës së Dhuratave të Parashenjtëruara (shih më poshtë), për shkak të karakterit të gëzuar e ngjallësor të tij. Eukaristia i jepet gjithmonë të gjithë anëtarëve të Kishës, duke përfshirë këtu dhe foshnjet e fëmijët e pagëzuar dhe të mirosur. Gjithmonë jepet në të dyja - bukë edhe verë. Orthodhoksët besojnë se në të është prania reale e Krishtit, është Trupi dhe Gjaku i vërtetë i tij, i pranishëm mistikërisht në bukën dhe verën që i janë blatuar Atit në emër të tij dhe shenjtëruar prej Shpirtit hyjnor të Perëndisë.

photo këtu

    Në historinë e mendimit të krishterë pati mënyra të ndryshme për të shpjeguar se si buka dhe vera bëhen Trupi dhe Gjaku i Krishtit në liturgjinë eukaristike. Por, fatkeqësisht, këto shpjegime u bënë shpesh shumë racionale dhe të lidhura ngushtë me disa filozofi njerëzore. Një nga zhvillimet më fatkeqe, ishte, kur njerëzit filluan të debatonin realitetin e Trupit dhe Gjakut të Krishtin në Eukaristi. Disa thonin që dhuratat eukaristike të bukës dhe verës ishin Trupi dhe Gjaku i vërtetë i Krishtit, ndërsa të tjerë thonin që dhuratat ishin jo reale, por thjesht prania simbolike ose mistike e Trupit dhe Gjakut. Tragjedia në të dyja këto metoda është, që, çfarë është reale i kundërvihet asaj që është simbolike apo mistike.
    Kisha Orthodhokse nuk e pranon doktrinën që thotë se Trupi dhe Gjaku i eukaristisë janë thjesht simbole intelektuale ose psikologjike të Trupit dhe Gjakut të Krishtit. Nëse kjo doktrinë do të ishte e vërtetë, atëhere, kur bëhet Mesha dhe jepet Kungata e Shenjtë, njerëzit do të duhej të thirreshin thjesht të mendonin rreth Jisuit dhe të kungoheshin me të "në zemrat e tyre". Në këtë mënyrë, Eukaristia do të kthehej vetëm në një ngrënie përkujtimore për Darkën e Fundit të Zotit dhe bashkimi me Perëndinë nëpërmjet marrjes së Kungimit, do të bëhej vetëm në nivelin e mendimit, apo të meditimit psikologjik. Megjithatë, edhe Tradita Orthodhokse i përdor termat "simbole" për dhuratat eukaristike, ndonëse në tjetër kuptim. Ajo e quan shërbesën një "mister" dhe theroren e Liturgjisë një "therore shpirtërore dhe të pagjakshme." Këto terma janë përdorur nga Etërit e shenjtë, si edhe në vetë Liturgjinë.
    Kisha Orthodhokse i përdor shprehje të tilla, sepse në Orthodhoksi çfarë është reale nuk i kundërvihet asaj që është simbolike, mistike ose shpirtërore. Por, përkundrazi! Në pikëpamjen Orthodhokse, gjithçka e realitetit - bota dhe vetë njeriu - është reale në masën që është simbolike dhe mistike, në masën që vetë ky realitet duhet të zbulojë dhe të shfaqë Perëndinë tek ne. Prandaj, Eukaristia në Kishën Orthodhokse, kuptohet si Trupi dhe Gjaku i vërtetë i Krishtit, pikërisht sepse buka dhe vera janë misteret dhe simbolet e pranisë së vërtetë të Perëndisë dhe shfaqjes tek ne në Krishtin. Prandaj, duke ngrënë dhe duke pirë bukën dhe verën, të cilat janë shenjtëruar mistikërisht prej Shpirtit të Shenjtë, ne kemi një kungim të vërtetë me Perëndinë nëpërmjet Krishtit, i cili është vetë "buka e jetës" (Joani 6:34,41). Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit. Nëse ndonjëri ha prej kësaj buke, do të rrojë përgjithmonë. Edhe buka që do të japë unë, është mishi im, të cilin unë e jap për jetën e botës (Joani 6:51). Kështu, pra, buka e Meshës (Eukaristisë) është mishi i Krishtit dhe mishi i Krishtit është buka e Meshës. Të dyja janë prurë së bashku në një. Fjala "simbolike" në terminologjinë orthodhokse do të thotë pikërisht këtë: "t'i sjellësh bashkë në një."
    Le të lexojmë fjalët e Apostullit Pavël: Sepse unë mora prej Zotit atë që edhe u dhashë juve, se Zoti Jisu, natën që do të tradhëtohej, mori bukë dhe si falenderoi e theu, edhe tha, "Merrni e hani; ky është trupi që thyhet për juve; bëni këtë për kujtimin tim". Gjithashtu edhe potirin, mbas darkës, duke thënë, "Ky potir është dhiata e re në gjakun tim; këtë bëni sa herë të pini, për kujtimin tim". Sepse sa herë të hani këtë bukë, edhe të pini këtë potir, rrëfeni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë. Prandaj, ai që do hajë nga kjo bukë dhe do pijë potirin e Zotit, pa qenë i denjë, do të jetë fajtor ndaj trupit dhe gjakut të Krishtit (1 Korinthianët 11:23-27).
    Misteri i Eukaristisë së shenjtë, i kapërcen analizat dhe shpjegimet e bëra vetëm në terma të pastër racionalë dhe logjikë. Sepse eukaristia - dhe vetë Krishti - është me të vërtetë një mister i Mbretërisë së Qiellit, për të cilën Jisui na ka thënë që "nuk është e kësaj bote." Eukaristia - meqenëse i përket Mbretërisë së Perëndisë - është me të vërtetë mbi "logjikën" tokësore të njerëzimit të rënë. Për një shpjegim të mëtejshëm të Eukaristisë në Kishë, shih më poshtë kapitullin mbi Meshën Hyjnore.

Misteri i Pendimit ose i Rrëfimit (εξομολόγηση)

photo këtu
Misteri i Pendimit (ose i Rrëfimit) është akti ynë i pajtimit me Perëndinë dhe me Kishën, kur mëkati na ka ndarë prej jetës së Kishës. Kështu pra, pendimi është mënyra e Kungimit me Perëndinë, kur ky Kungim është prishur prej mëkatit. Në Traditën e Kishës, shpesh është quajtur si rinimi i Pagëzimit, ose si rivendosja e asaj gjendjeje të jetimit me Perëndinë, që i jepet njerëzve në misterin themelor të inagurimit në jetën e krishterë.
    Jo çdo mëkat kërkon nevojën e Pendimit zyrtar nëpërmjet ritualit misteror. Kjo është e qartë, sepse njerëzit kurrë nuk janë krejtësisht pa mëkate. Megjithatë, disa mëkate të rënda ose ndarja e gjatë prej Kungatës së Shenjtë, kërkojnë aktin zyrtar të misterit të Pendimit. Gjithashtu, të krishterët që jetojnë në Kungim me Perëndinë, duhet të shkojnë rregullisht në misterin e Pendimit, me qëllim që ta përunjin vetveten në mënyrë të ndërgjegjshme para Perëndisë dhe të marrin udhëzime për jetën e krishterë nga bariu i tyre në Kishë. Kisha Orthodhokse mëson që Pendimi misteror (me prift) është i nevojshëm për ata që marrin Kungatën e Shenjtë dhe kanë bërë mëkate të rënda ose kur kanë qenë ndarë nga Kungata për një kohë të gjatë.
    Misteri i Rrëfimit ekziston në Kishë, që të lejojë pendimin dhe rikthimin e të krishterëve që janë larguar nga jeta e besimit. Në Pendim janë tre elemente kryesore. I pari, është një keqardhje dhe një vrasje ndërgjegjeje për mëkatet e kryera dhe për prishjen e Kungimit me Perëndinë. I dyti, është një rrëfim i sinqertë nga zemra i mëkateve. Dikur, ky rrëfim bëhej publikisht para gjithë njerëzve, në mes të Kishës, por, në kohët e mëvonshme, zakonisht bëhet në prani të priftit, i cili paraqet gjithë Kishën. Elementi i tretë i Pendimit, është lutja e zgjidhjes së mëkateve, nëpërmjet së cilës falja e Perëndisë, nëpërmjet Krishtit, jepet mistikërisht mbi mëkatarin e penduar. Përmbushja e Pendimit qëndron në marrjen e Kungatës së Shenjtë dhe në pajtimin e vërtetë të mëkatarit të penduar me Perëndinë dhe me të gjithë njerëzit, sipas porosive të Krishtit. Pendimi kërkon, gjithashtu, nevojën e një përpjekje të sinqertë nga ana e pendimtarit, për të qëndruar larg mëkatit dhe për të bërë një bindje besnike ndaj Perëndisë dhe për të jetuar me drejtësi para Atij dhe para tërë popullit.
    Misteri i Pendimit, ashtu si të gjitha misteret, është një element i jetës së Kishës, që presupozon një besim dhe bindje të fortë, që vetë Krishti është i pranishëm në Kishë me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë. Një person, pa përvojën e Krishtit në Kishë, nuk do ta kuptojë kuptimin e misterit sakramental dhe nevojën për një rrëfim publik dhe të hapur të mëkateve. Kur Kisha është përjetuar si një jetë e re në Krishtin dhe si një Kungim i pastër me Perëndinë në mbretërinë e tij, që është tashmë e pranishme tek njerëzit nëpërmjet mistereve, atëherë, Pendimi misteror dhe rrëfimi i mëkateve jo vetëm që do të kuptohen, por do të përgëzohet si misteri i madh i Perëndisë, i cili është: mundësia unike për ribashkimin me Perëndinë, me anë të faljes së Krishtit, i Cili ka ardhur të shpëtojë mëkatarët që i rrëfejnë mëkatet e tyre dhe që sinqerisht dëshirojnë të ndryshojnë jetën e tyre, sipas rrugëve që Ai vetë iu ka dhënë.
    Me një fjalë, Kisha Orthodhokse qëndron strikt në mësimin e Shkrimit të Shenjtë, që thotë, se vetëm Perëndia mund të falë mëkatet, se ai e bën këtë me anë të Krishtit në Kishë dhe se kërkohet një pendim i pastër dhe një premtim për ndryshim, gjë që dëshmohet nga rrëfimi; dhe që ky rrëfim përkufizohet si njohja publike dhe e hapur e mëkateve para Perëndisë dhe gjithë njerëzimit.

Shiko gjithashtu

Kisha Orthodhokse dhe Shënjtorët e Shqipërisë
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha Jonë
Besimi Orthodhoks
Dhiata e re
Lajme

Albanian Orthodox - Shqiptar Ortodoks
Atheist persecution & the Resurrection of the Orthodox Church in Albania Lynette Hoppe
Healing - Lynette's Hope: a beautiful Woman, an Orthodox Woman, from U.S.A. in Albania

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου